
Fondacioni Jahjaga
Fondacioni Jahjaga (JF) është një organizatë joqeveritare, e themeluar nga Presidentja e Kosovës (2011-2016), Znj. Atifete Jahjaga, në Mars të vitit 2018. Qëllimi i përgjithshëm i Fondacionit Jahjaga është zhvillimi demokratik i Kosovës dhe Ballkanit, përmes përfshirjes sociale dhe mbështetjes së grupeve të margjinalizuara, si një parakusht për ndërtimin e paqes në rajon. Tri çështjet kryesore në të cilat përfshihet Fondacionit Jahjaga janë: gjithëpërfshirja sociale, pajtimi ndëretnik dhe rajonal, si dhe siguria
Platforma e mësimit online
Qëllimi i platformës së mësimit online është qe të ofrojë mundësi të ndryshme për të mësuar në lidhje me të drejtat e njeriut, gjithëpërfshirjen dhe diversitetin, si dhe barazinë gjinore në një format që është i lehtë për t’u qasur dhe për t'u përdorur. Kjo platformë do të shërbejë si një mundësi mësimi për të gjithë ata që janë të interesuar në këto tema, si dhe një mundësi për ndërtimin e kapaciteteve për individët që duan të përdorin këtë njohuri për avancimin e tyre profesionale brenda një institucioni apo organizate.
Platforma siguron një mundësi për të gjitha palët e interesuara që të përdorin këtë kanal që mundëson ndërtimin e kapaciteteve, me qëllimin për t'u bërë një hapësirë virtuale për të mësuar rreth temave brenda profileve të parapara. Kurset e ofruara brenda platformës përfshijnë një ndërthurje të mjeteve interaktive të të mësuarit duke përfshirë video, materiale leximi dhe kuize. Përdoruesit që kryejnë kurse të ndryshme kanë mundësinë të mësojnë dhe të certifikohen në tema specifike.
Kjo platformë e mësimit online u zhvillua me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë përmes Planit të Tretë Kombëtar të Italisë për "Gratë, Paqen dhe Sigurinë".